Lajme

Afaristët nga Turqia, të interesuar për të investuar në Kosovë

Prishtinë, 01/11/2018

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, bashkë me U.d të Drejtorit të KIESA-s, Nol Buzhala, kanë pritur në takim përfaqësuesit e organizatës së afaristëve “RUMELİSİAD”, nga qyteti i Bursës në Turqi.

Me këtë rast, ministri Shala ka theksuar se është i përkushtuar që t’iu krijojë kushte të mira investitorëve të huaj që të vijnë në Kosovë dhe ta investojnë kapitalin e tyre.

Ministri Shala ka treguar se MTI e ka sponsorizuar Ligjin për Investime Strategjike, i cili u krijon lehtësira  të jashtëzakonshme investitorëve të huaj.

Ndërkaq, mundësit për investime dhe të të bërit biznes në Kosovë, para afaristëve turq i ka prezantuar U.d. Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s Nol Buzhala.

Omer Kumova, kryetar i shoqatës së afaristëve nga Bursa “RUMELİSİAD”, tha se janë të interesuar që të investojnë në Kosovë dhe ta bëjnë lidhjen në mes bizneseve të Turqisë dhe Kosovës.

Anëtarët e organizatës “RUMELİSİAD” janë sipërmarrës në Bursa të Turqisë dhe një pjesë e tyre kanë prejardhje nga vendet e Ballkanit. Delegacioni përbëhet nga 11 biznesmenë, që po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në Kosovë në fusha të ndryshme.