Lajme

Kompanitë kosovare promovohen në SHBA

Prishtinë, 09/11/2018

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar pjesëmarrjen e katër kompanive kosovare në panairin “PLMA’s 2018 Private Label Trade Show”, i cili do të mbahet nga data 11 deri 13 nëntor 2018 në Rosemont Convention Center në Çikago të SHBA-së.

Kompanitë kosovare që do të prezantojnë në këtë panair janë: “Prince Caffe”, “Frutex”, “Bodrumi i Vjetër” dhe “Kosova Wine”.

Ky panair është një mundësi e mirë për kompanitë kosovare të njihen me trendet e industrisë ndërkombëtare dhe të lidhin marrëveshje eksporti me blerës, distributor dhe agjentë shitjesh ndërkombëtar.

Panairi “PLMA’s 2018 Private Label Trade Show”, njihet si një ndër panairet më të rëndësishëm në fushën e ushqimit dhe produkteve jo-ushqimore. Në panair do të ekspozojnë produktet e tyre më shumë se 1,500 kompani nga 40 vende duke përfshirë 25 pavijone ndërkombëtare.

MTI/KIESA ka siguruar hapësirë ekspozuese për katër kompanitë kosovare për secilën  nga 9m2,  që gjenden në: F2046, F2047, F407, F408.

Po ashtu MTI/KIESA së bashku me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju Jork do të takohen me Drejtorin e “Specialty Food Association” për të diskutuar për hapësirën ekspozuese, mundësin e prezantimit sa më të mirë të kompanive kosovare në Panairin Summer Fancy Food Show 2019 dhe rritjen e kualitetit të shërbimeve.

Gjithashtu së bashku me bizneset kosovare prezentë në PLMA do të organizohen takime B2B me përfaqësuesit e rrjeteve shitëse në Nju Jork.

Ndërsa me datë 16.11.2018 MTI/KIESA së bashku me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju Jork do të organizojnë takim informues me bizneset dhe shoqatat e diasporës shqiptare në SHBA për të ju prezantuar mundësit që ofron Kosova për investime, eksport, turizëm.