Lajme

U mbajt konferenca “BE promovon ndërmarrësinë dhe NVM-të: - Programi COSME”

Prishtinë, 03/12/2018

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë mbajtën konferencën: “BE promovon ndërmarrësinë dhe NVM-të: Programi COSME”.

Në këtë konferencë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, foli për rëndësinë e Programit COSME dhe punën e vazhdueshme të  MTI-së që Kosova të bëhet vend ideal për të bërë biznes.

“Ne në MTI, në mënyrë të vazhdueshme jemi duke punuar që Kosovën ta bëjmë vend ideal për të bërë biznes. Njëkohësisht, zhvillimi i potencialit të prodhimtarisë vendore mbetet fokusi jonë, gjithmonë duke u siguruar që kemi konkurrence të drejtë dhe të barabartë në treg. Në kuadër të mandatit të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë ofrojmë programe mbështetëse për ndërmarrësit në Kosove duke filluar nga subvencionimi  makinerive prodhuese, skemat për certifikim të produkteve, skemat për këshillim, bashkëpunimi me bizneset dhe gjetja e tregjeve të huaja etj. Njëkohësisht, ja vlen të ceket roli i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore i cili ka garantuar një numër të madh të kredive” , tha ministri Shala.

Konferenca vazhdoj me prezantimet rreth Programit COSME dhe panel diskutimi.

COSME është program i BE-së për Konkurrueshmërinë e Sipërmarrjeve dhe NVM-ve, për periudhën kohore 2014-2020 me një buxhet prej 2.3 miliardë euro. COSME do të përkrahë NVM-të në fushat në vijim:

  • Lehtësimin e qasjes në financa
  • Përkrahjen e ndërkombëtarizimit dhe qasjes në tregje
  • Krijimin e një mjedisi të favorshëm për konkurrueshmëri
  • Inkurajimi i një kulture sipërmarrëse