Lajme

Mbahet takimi i 4-të i Komitetit për Bashkëpunim Ekonomik Kosovë - Austri

Prishtinë, 06/09/2019

Me 4 shtator, në Vjenë të Austrisë u organizua takimi i 4-të i Komitetit për Bashkëpunim Ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Austrisë. Delegacioni i Republikës së Kosovës është kryesuar nga Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë z. Bekim Jupa.

Dy delegacionet në nivel ekspertësh diskutuan për aspektet e bashkëpunimit financiar, digjitalizimit, energjisë së ripërtëritshme, standardizimit, investimeve të huaja, zhvillimit të mëtutjeshëm të NVM-ve kosovare si dhe aftësimit profesional në Kosovë.

Në kuadër të takimit, përfaqësuesi i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka paraqitur pikat kyçe të dy fushave: fushës së Investimeve të huaja dhe të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.

Në lidhje me investimet e huaja janë përshkruar të arriturat dhe aktivitetet e KIESA-s në drejtim të promovimit të vendit, si dhe janë paraqitur trendet e investimeve austriake ndër vite.

Ndër tjera, në takim janë vënë në pah ligjet që zbatohen nga KIESA si dhe shërbimet që agjencia i ofron karshi investitorëve të huaj.

Në takim janë paraqitur të arriturat dhe sfidat e NVM-ve në Kosovë, si dhe përpjekjet e KIESA për të fuqizuar rolin e ndërmarrësisë.

Po ashtu gjatë fjalimit u prezantuan edhe rekomandimet që dalin për Kosovën nga OECD-ja e cila publikon Raportin e Indeksit të Politikave për NVM-të.

Gjatë kësaj ngjarje janë realizuar takime të ndara me përfaqësuesit e Advantage Austria dhe Austrian Development Agency të cilët kanë shprehur interesim që të bashkëpunojnë me KIESA-n në fushën e zhvillimit të NVM-ve dhe fuqizimit të  Gruas në Ndërmarrësi. Po ashtu janë zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e Odes Ekonomike të Austrisë të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojnë me KIESA-n në drejtim të sjelljes së investimeve të austriake në Kosovë.

Takimi i 5-të i Komitetit për Bashkëpunim Ekonomik Kosovë-Austri do të mbahet në pranverën e vitit 2021 në Prishtinë.