Lajme

Produktet e kompanive nga Kosova promovohen në Gjermani

Prishtinë, 07/10/2019

Kompanitë prodhuese nga Kosova: “Elkos”, “Moea”, “Frutex”, “Eurofruti”, “Eurofood”, “Abi & Elifi 19”, “Fluidi”, “Devolli Corporation”, “Industria e mishit Calabria”, “Essi”, nga data 5 tetor 2019 po marrin pjesë në Panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë ushqimore “Anuga 2019” që po mbahet në Këln të Gjermanisë.

Pjesëmarrja e kompanive kosovare është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Kompanitë tona krahas promovimit të produkteve, gjatë panairit po zhvillojnë kontakte me kompanitë pjesëmarrëse me qëllim të krijimit të bashkëpunimit në të ardhmen.

Panairi “Anuga 2019” vizitohet nga rreth 190,000 vizitorë të cilët njihen për së afërmi me produktet më të fundit nga 8,200 ekspozues të produkteve ushqimore në botë.

Në këtë panair prezantohen prodhimet e ngrira nga frutat dhe perimet, industria përpunuese ushqimore nga pemët dhe perimet, industria përpunuese e mishit, pije energjike, kafe dhe lëngje, prodhime EKO, etj,.

Kosova në këtë panair promovohet krahas shteteve tjera si: Kroacia, Italia, SHBA, Britania e Madhe, Kina, Spanja, Turqia, Franca, Holanda, Greqia, Belgjika etj,.

Shtandi i Kosovës në këtë panair gjendet në Hall nr. 07.1, shtandi nr. C-020g-D021g

Panairi “Anuga 2019”, është i hapur deri më 9 tetor 2019 në Këln të Gjermanisë.