Procesi i themelimit të kompanisë

Të regjistrosh një biznes në Kosovë është e thjeshtë dhe në të njëjtën kohë edhe falas. Të gjitha bizneset dhe  markat tregtare janë të shënuar në listën e Regjistrit të Organizatave të Biznesit dhe Emrave Tregtar, dhe informatat themelore në lidhje me kompanitë e regjistruara mund të gjinden lirisht dhe në mënyrë të hapur përmes internetit.

Bizneset që veprojnë në Kosovë duhet të regjistrohen në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. ARBK vepron në bazë të një data baze elektronike, si një proces më i thjeshtë dhe më i shpejtë i regjistrimit pa pagesë të bizneseve të reja.

Ekzistojnë 28 qendra komunale të regjistrimit të njohura si zgjidhje “one-stop shop” me zyrën kryesore të ARBK-s në Prishtinë.

Proceduarat e regjistrimit te biznesit në Kosovë janë mjaftë të thjeshta dhe të shpejta. Për investimet e jashtme ekziston  Ligji për Investimet e Huaja, i cili mbron investitorët e huaj dhe i trajton të barabartë me investitorët e brendshëm.

Për të operuar si biznes legjitim, ndërmarrjet e huaja dhe vendore duhet të regjistrohen në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë si një nga këto kategori biznesesh:

1.    Biznese individuale;

2.    Ortakëri të përgjithshme;

3.    Ortakëri e kufizuar;

4.    Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar;

5.    Shoqëri aksionare;

6.    Kompani e huaj;

7.    Ndërmarrje shoqërore;

8.    Ndërmarrje publike;

9.    Kooperativa bujqësore;

10.  Ndërmarrje të tjera nën juridiksionin e AKM-së.

Format ligjore të ndërmarrjeve

Ngjashëm me praktikat e përgjithshme të vendeve të BE-së vetëm disa lloje të bizneseve mund të regjistrohen në Kosovë. Në bazë të Ligjit mbi Shoqëritë Tregtare (nr. 02/L-123) ekzistojnë këto lloje të bizneseve: bizneset individuale, ortakëritë e përgjithshme,  shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara, ortakëritë e kufizuara dhe shoqëritë aksionare.

Ne pajtim me klauzolat e Ligjit për Investimet e Huaja, kompanive të huaja u lejohet të angazhohen në aktivitetet e bizneseve të hapura për biznese vendore. Për më tepër, nuk ka asnjë kufizim lidhur me pjesën e kapitalit që subjektet e huaja janë të lejuara ta mbajnë. Prandaj, subjektet e huaja mund të themelojnë ndërmarrje vartëse dhe degë të ndërmarrjes në të njëjtën mënyrë, dhe në të njëjtën masë, sikurse organizatat e bizneseve vendore.