Dymbëdhjetë kompani nga Kosova do të marrin pjesë në Panairin “Swissbau 2024” në Zvicër
Prishtinë,
15/01/2024
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë (SHPDK), ka siguruar hapësirën ekspozuese 300m2 në këtë panair për kompanitë vendore pjesemarrëse nga industria e drurit dhe produkteve tjera për ndërtim.
Në hapje të panairit do të marrin pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Pjesëmarrja e kryeministrit Kurti dhe Ministres Hajdari, në hapjen e këtij panairi, thekson përkushtimin e Qeverisë për përkrahjen dhe promovimin e ndë rmarrjeve tona me produkte me vlerë si dhe ofrimin e mundësive të reja për eksport dhe prezencë në tregjet ndërkombëtare.
Ky panair ofron një platformë të shkëlqyeshme për promovimin e produkteve të përpunimit të drurit dhe produkteve tjera për ndërtim nga kompanitë vendore, ndërkohë që u jep atyre mundësinë të njihen me trendet e industrisë ndërkombëtare dhe të zhvillojnë marrëveshje bashkëpunimi me kompani të jashtme, duke synuar rritjen e eksportit.
Prodhimet e dymbëdhjetë kompanive nga Kosova nga industria e drurit dhe produkte tjera për ndërtim, nga data 16 deri 19 janar 2024 do të promovohen në Panairin “Swissbau 2024” dhe do të jenë të ekspozuara në Hall 1.1, Booth no.A60, B60 dhe A90, Basel, Zvicër.