Reagim ndaj artikujve të publikuar në portalin Buletini Ekonomik
Prishtinë,
18/01/2024
Pas publikimit të artikujve në portalin “Buletini Ekonomik” me titujt: “Imazhi i Kosovës në panaire ndërkombëtare iu besua një kompanie fiktive” (datë:15.01.2024) dhe “Shteti i Kosovës pagoi deri në 600% më shtrenjtë stendat në panaire ndërkombëtare” (datë:17.01.2024), Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) përmes këtij reagimi publik njofton se:
Kompanitë e përmendura në artikujt në fjalë, “Mirt Interijer” dhe “Kan Construct Fair”, të cilat kanë ndërtuar stendat në disa panaire ndërkombëtare, janë përzgjedhur që nga viti 2018, prandaj KIESA vetëm ka vazhduar bashkëpunimin edhe përgjatë dy viteve të fundit, por për korrektësi dhe mundësi më të mëdha që nga viti 2022 ka kontraktuar edhe tri kompani të tjera për bashkëpunim në këtë fushë.
Në atë kohë, KIESA i ka realizuar pagesë “Mirt Interijerit” në total prej 1,015,021 euro (251,695 euro në vitit 2018; 228,615 euro në vitin 2019; 115,571 euro në vitin 2020, dhe 419,140 euro në vitin 2021).
Ndërsa kompanisë “Kan Construct Fair”, KIESA i ka realizuar pagesë në total prej 517,438 euro (227,190 euro në vitin 2019; 80,525 euro në vitin 2020, si dhe 209,723 euro në vitin 2021).
Ndërkaq sa i përket vitit 2022 dhe 2023, si kompani të reja në ndërtimin e stendave të Kosovës, të propozuara dhe në koordinim me organizatorët e panaireve duke i përmbushur edhe kriteret e standardet e tyre ndërkombëtare, përveç dy kompanive ekzistuese të lartpërmendura dhe të kontraktuara që nga viti 2018, janë shtuar edhe kompanitë “Two Tims Corp”, “Rosemont Exposition Services” dhe “Freeman”.
Po ashtu shumat e theksuara nga portali, qëllimshëm janë përqendruar vetëm në ndërtimin e stendës dhe jo në shpenzimet e dizajnit të stendës, përfshirë edhe tavolinat informuese, karriget, vitrinat ekspozuese të produkteve, logot dhe materialet e kompanive pjesëmarrëse për marketing, si dhe shpenzimet e krijuara pas panairit që përfshijnë: tarifat e pjesëmarrjes për secilën kompani, shpenzimet e rrymës, internetit dhe koston e mirëmbajtjes.
Kurse sa i përket dizajnit dhe ngjyrave të stendave, ato vijnë nga kërkesat e bizneseve, në veçanti dizajni, ndërsa ngjyrat janë në harmoni me simbolet e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Si rezultat i rritjes së prezencës së kompanive dhe produkteve vendore, në panaire ndërkombëtare, KIESA për vitet 2022 dhe 2023 është vlerësuar me një rritje të performancës së fuqishme edhe nga Raporti i Progresit për Kosovën, përkundër kapaciteteve të kufizuara njerëzore, kjo për faktin se gjatë këtyre dy viteve, KIESA ka rritur numrin e kompanive vendore në panaire ndërkombëtare, numrin e produkteve në total rreth 1000 për vit, të ekspozuara nga sektori i mallrave dhe shërbimeve dhe aktivitetet e turizmit duke kontribuar drejtpërdrejtë edhe në rritjen e eksporteve.
Konsiderojmë se këto fakte nuk janë prezantuar në artikujt e sipërpërmendur nga Buletini Ekonomik me qëllim të krijimit të konfuzionit tek opinioni, prandaj nga ky medium dhe të gjitha mediat që i kanë publikuar të njëjtit artikuj kërkojmë që ta publikojnë këtë sqarim dhe t’i plotësojnë shkrimet me informata të plota.
KIESA njofton se për këto shkrime të publikuara me informata të pasakta do t’iu drejtohet edhe organeve kompetente.
Mbështetja për bizneset vendore do të vazhdojë të mbetet prioritet i yni!