MINT/KIESA mbajnë sesionin informues për Programin e Bashkimit Evropian "Tregu i Përbashkët"
Prishtinë,
02/02/2024
Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), mbajtën sot sesionin informues dhe udhëzues për aplikim në thirrjet e radhës së skemës përfituese në kuadër të Programit të Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.
Në hapje të sesionit, Drejtori i Drejtoratit për Zhvillimin e Sektorit Privat në kuadër të KIESA-s, z. Nol Buzhala, foli për rëndësinë që ka ky program për NVMV-të. Të pranishmit në këtë sesion u informuan për objektivat kryesore të këtij Programi, i cili është i pari për treg të brendshëm i Bashkimit Evropian, si një ndër programet më të mëdha mbështetëse, që për qëllim ka fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave si dhe përmirësimin e sektorit financiar.
Sesioni vazhdoj me prezantimin nga eksperti i Projektit të Asistencës Teknike “Mbështetje Kosovës me programet Evropiane”, i cili shpjegoi udhëzimet për aplikim në thirrjet e tanishme të skemave përfituese në kuadër të Programit të Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.
Në kuadër të këtij sesioni bizneset u udhëzuan me informatat që duhet pasur në konsideratë para dhe gjatë aplikimit në mënyrë që aplikimi i tyre të konsiderohet i suksesshëm.