Storie suksesi: “Botanika” - përfitues i Iniciativës për Fuqizim Digjital
Prishtinë,
28/08/2025
Në zemër të Polacit, Skenderaj, të rrethuar nga bukuria e paprekur e maleve të Kosovës, dy motra po e kthejnë bimësinë e egër në mirëqenie dhe traditën në mundësi. Njihuni me Blerinda dhe Arnita Veliun, gratë pas kompanisë Botanika – një biznes i vogël, por në rritje, që po rishkruan kuptimin e ndërtimit të një biznesi të qëndrueshëm, të bazuar në burime vendore dhe standarde ndërkombëtare.
E themeluar në vitin 2019, Botanika lindi nga respekti i thellë për natyrën dhe dëshira për të nderuar lidhjen e gjatë të familjes me frutat e egra dhe bimët mjekësore. Çajrat e tyre organikë dhe kërpudhat e pyllit, të shitura nën markën frymëzuese Into the Wild, tashmë janë të pranishme në tregjet vendore dhe po depërtojnë në raftet e Gjermanisë e Italisë.
Por, ashtu si shumë biznese të vogla, edhe Botanika kishte nevojë për më shumë dukshmëri për t’u rritur. “Aplikimin për grantin e IFD-së e pamë si një mundësi,” thotë Arnita. “Na duhej të dinim çfarë të bënim më tej dhe si ta prezantonim veten para botës.”
Këtu hyn Iniciativa për Fuqizim Digjital (IFD). Falë grantit të IFD-së, Botanika bashkëpunoi për të ndërtuar një faqe moderne e-commerce dhe për të zhvilluar përmbajtje profesionale me foto dhe video për rrjetet sociale. Po ashtu, ekipi fitoi qasje në një katalog digjital, duke e bërë më të lehtë tregimin e historisë së brendit dhe prezantimin e produkteve për blerësit potencialë.
“Faqja e internetit ka sjellë ndryshim real,” shpjegon Arnita. “Tani njerëzit jo vetëm që na gjejnë online, por edhe na besojnë. Shitjet janë rritur, dhe më e rëndësishmja – kemi filluar të ndërtojmë lidhje të vërteta përtej Kosovës.”
Falë prezencës së tyre të përmirësuar digjitale, Botanika tashmë pranon porosi direkt përmes faqes së saj. Aty gjenden edhe këshilla dhe receta për përgatitjen dhe përdorimin e çajrave, duke krijuar marrëdhënie më të forta me klientët dhe duke ofruar edukim bashkë me produkte cilësore.
E certifikuar organike sipas standardeve të BE-së, kompania aktualisht operon me dy punonjës të përhershëm, por gjatë sezonit të mbledhjes zgjerohet në një ekip prej gjashtë personash. Me plane për t’u zgjeruar si në Kosovë ashtu edhe jashtë, ata tashmë po marrin pjesë në panaire tregtare dhe po eksplorojnë linja të reja produktesh për eksport.
Rruga e tyre është një kujtesë se qëndrueshmëria dhe inovacioni mund të ecin dorë për dore – dhe se gratë e fuqizuara mund të jenë udhëheqëset e ndryshimit. Nga kujdesi për tokën, te menaxhimi i logjistikës, dizajnit dhe marketingut, përkushtimi i Blerindës dhe Arnitës është në çdo produkt të Botanika-s.
Me rritjen e biznesit, rritet edhe vizioni i tyre: ta sjellin natyrën dhe njerëzit më afër, duke kontribuar në qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës.
Iniciativa për Fuqizim Digjital (IFD) është bashkëfinancuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes KIESA-s, në bashkëpunim me projektin EnInGeP, i cili financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC) dhe zbatohet nga CARE International dhe ECIKS.
Artikulli është i shkruar nga përfaqësuesit e projektit EnInGeP në kuadër të projektit IFD.