U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA, priti në takim Ambasadorin e Japonisë në Kosovë
Prishtinë,
26/09/2025
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), z. Zef Dedaj, priti sot në takim Ambasadorin e Japonisë në Kosovë, z. Kiminori Iwama.
Gjatë takimit, z. Dedaj informoi ambasadorin për fushëveprimtarinë e KIESA-s dhe rolin e saj në mbështetje të rritjes ekonomike, përmes promovimit të investimeve të huaja, përkrahjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla e të mesme, nxitjes së eksportit dhe turizmit, si dhe zhvillimit të parqeve industriale e teknologjike. Ai gjithashtu prezantoi arritjet dhe potencialin ekonomik të Republikës së Kosovës, duke theksuar sektorët prioritarë dhe masat reformuese të ndërmarra nga institucionet për fuqizimin e ekonomisë së vendit.
Nga ana e tij, ambasadori z. Iwama vlerësoi informatat e prezantuara dhe shfaqi interesim për t’u njohur më nga afër me sektorët prioritarë për investime, lehtësitë dhe përfitimet për investitorët e huaj, si dhe zhvillimin e parqeve industriale.
Ndër tjera gjatë takimit z. Dedaj dhe z. Iwama u dakorduan që KIESA dhe JETRO do të bashkëpunojnë për organizimin e forumit të biznesit dhe takimeve B2B në mes kompanive kosovare dhe japoneze, i cili planifikohet të mbahet gjatë muajit nëntor me qëllim të krijimit të bashkëpunimit.
Në përmbyllje të takimit, të dy palët shprehën gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin dhe për të iniciuar aktivitete të përbashkëta ndërmjet kompanive kosovare dhe atyre japoneze, me synim rritjen e investimeve nga Japonia në Kosovë dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.



