KIESA prezantoi Performancën Industriale 2025 dhe Planet për mbështetjen e NVM-ve për vitin 2026
Prishtinë,
15/12/2025
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), mbajti konferencën vjetore, në të cilën u prezantuan Performanca Industriale 2025 dhe Planet për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM-ve) për vitin 2026.
Në këtë ngjarje, në fjalën hyrëse, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, theksoi se Kosova po e përmbyll vitin si një prej historive më të suksesshme në rajon, duke u konfirmuar si një vend më i sigurt, më demokratik dhe financiarisht më i qëndrueshëm. Sipas tij, indikatorët ndërkombëtarë tregojnë më pak krim të organizuar, shumë më pak korrupsion, forcim të sundimit të ligjit, si dhe një demokraci që po forcohet nga viti në vit.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, theksoi se performanca e industrisë prodhuese dhe e sektorit të shërbimeve, me theks të veçantë në industrinë kreative gjatë vitit 2025, dëshmon rritjen dhe konsolidimin e shpejtë të këtyre sektorëve, modernizimin e tyre dhe orientimin drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Në vijim të konferencës u mbajt një panel diskutimi, ku morën pjesë U.d. Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, z. Zef Dedaj, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, si dhe Drejtori i Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, z. Besnik Berisha. Gjatë panelit u prezantua përkrahja financiare për bizneset gjatë vitit 2025, si dhe mbështetja e planifikuar për vitin 2026, me qëllim fuqizimin e sektorit privat si faktor kyç i zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.




















