Lajme

KIESA organizoi sesion informues me bizneset lidhur me skemën e granteve në sektorin e Industrisë Kreative

Prishtinë, 07/04/2026

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka mbajtur sot një sesion informues me përfaqësues të bizneseve lidhur me thirrjen publike për përkrahjen financiare të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) në sektorin e industrisë kreative.

Kjo skemë realizohet në kuadër të bashkëfinancimit ndërmjet MINTI-t, përmes KIESA-s, dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, në bashkëpunim me UNDP.

U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, z. Nol Buzhala, i njoftoi bizneset për rëndësinë e kësaj skeme, si dhe për mundësinë e rritjes së buxhetit në koordinim me partnerët mbështetës të projektit, me qëllim rritjen e numrit të përfituesve. Ai theksoi se kjo thirrje përbën një mundësi të rëndësishme për avancimin e bizneseve dhe forcimin e pozitës së tyre në treg.

Gjatë sesionit, pjesëmarrësit u informuan në detaje për procedurat e aplikimit, kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Në përfundim, pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të marrin sqarime të drejtpërdrejta për çështjet me interes.

Shpallja e kësaj skeme do të publikohet në ueb-faqet e MINTI-t dhe KIESA-s, ndërsa dokumentet e kërkuara, sipas udhëzuesit, duhet të dërgohen në adresën elektronike: aplikimi.ikreative@rks-gov.net.