Lajme

KIESA mbajti konferencën informuese me bizneset e rajonit të Ferizajt

Prishtinë, 20/11/2019

Në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2019”, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt mbajti konferencën informuese me bizneset e rajonit të Ferizajt.

Në konferencë morën pjesë: përfaqësues nga institucionet qendrore dhe lokale, ATK, Dogana, KEDS si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit të kësaj ane.

Nol Buzhala, U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, në fjalën e tij njoftoi të pranishmit lidhur me shërbimet dhe përkrahjen e KIESA-s për ndërmarrjet. Ndër to ai përmendi aktivitetet e KIESA-s në mbështetjen e ndërmarrësisë të cilat janë realizuar gjatë vitit 2019.

Ndërsa Zekir Bytyqi, drejtor për Zhvillim Ekonomikë dhe Turizëm në Komunën e Ferizajt, prezantoi aktivitetet e komunës.

Në konferencë prezantoi edhe përfaqësuesja nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e cila foli rreth shërbimeve dhe procedurave tatimore që ndërlidhen me zhvillimin e ndërmarrësisë si dhe përfaqësuesi nga Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) dhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN).

Gjatë konferencës u zhvillua edhe dialog me bizneset me ç’rast ata parashtruan pyetje rreth çështjeve që ndërlidhen me aktivitetet e tyre.

Aktivitetet në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2019” kanë për qëllim të zhvillojnë dialogun publiko - privat i cili, së bashku me fuqizimin e ndërmarrësisë, është më se i domosdoshëm për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit privat, respektivisht zhvillimit ekonomik.