Lajme

Produktet kosovare prezantohen në panairin e ushqimeve organike “BIOFACH 2020” në Nuremberg

Prishtinë, 12/02/2020

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar pjesëmarrjen e kompanive prodhuese kosovare: “Eurofruti”, “Fungo”, “OrganicHerb”, “Agroproduct” dhe “Hit-Flores”, në Panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë ushqimore organike “BIOFACH 2020” që po mbahet në Nuremberg të Gjermanisë nga data 12 deri 15 shkurt 2020.

Gjatë panairit kompanitë kosovare pritet të zhvillojnë takime B2B si dhe të krijojnë kontakte me kompanitë dhe blerësit pjesëmarrës me qëllim të bashkëpunimit në të ardhmen për gjetjen e tregjeve të reja për eksport të prodhimeve kosovare.

Panairi “BIOFACH 2020” vizitohet nga rreth 170,000 vizitorë, të cilët njihen për së afërmi me produktet më të fundit nga 3,500 ekspozues të produkteve ushqimore organike nga 60 shtete të botës. Në këtë panair prezantohen prodhimet e ngrira nga frutat dhe perimet, fruta mali, bimë mjekuese, aromatike, kërpudha, mjedra, manaferra, boronica etj.

Kosova në këtë panair promovohet krahas shteteve tjera si: Italia, SHBA, Britania e Madhe, Kina, Spanja, Turqia, Franca, Holanda, Greqia, Belgjika, etj,.

Shtandi i Kosovës në këtë panair gjendet në Hall 4, shtand nr. 4-366.

Panairi është i hapur nga data 12 deri 15 shkurt 2020 në Exhibition Centre, 90471 Nuremberg, Gjermani.