Lajme

Ministrja Hajdari bashkëbisedoi me bizneset e rajonit të Gjakovës dhe Pejës

Prishtinë, 24/12/2021

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në vazhdimësi të “Ditëve të Biznesit Kosovar dhe Dialogun me Sektorin Privat”, të organizuara nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve(KIESA), gjatë muajit nëntor 2021, ka bashkëbiseduar me bizneset e rajonit të Gjakovës dhe Pejës.

Ministrja Hajdari, bashkë me kolegët qeveritar, Arber Muhaxheri nga KIESA, Ilir Murtezaj nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Musa Gashi nga Dogana e Kosovës, kishin bashkëbisedime  të hapura me biznese, duke iu përgjigjur në çështjet që përfaqësuesit e bizneseve i parashtronin. 

Ministrja Hajdari ka theksuar se qëllimi i këtij takimi është njoftimi me zhvillimet e fundit rreth veprimeve qeveritare  për përkrahje dhe zhvillim të bizneseve vendore, si dhe njëkohësisht, për të diskutuar për të gjitha sfidat me të cilat përballen bizneset kosovare.  Ajo tha se prodhuesit, përpunuesit dhe eksportuesit kanë shumë sfida, por që sipas saj, Qeveria është për t’iu përgjigjur.  “Si qeveri e re, ne e kemi në prioritet zhvillimin e sektorit privat si një shtyllë kryesore për agjendën Punësim dhe Drejtësi, për programin social demokrat qeveritar. Ju jeni tatimpaguesit e qeverisë dhe ajo para që vjen në buxhetin qeveritar duhet të kthehet në mënyrë ose në tjetrën në mirëqenien e biznesit dhe qytetarëve tanë. Unë sot e shfrytëzoj rastin t’ju ftoj t’i shprehni sfidat, barrierat që i keni, por edhe sukseset e mira që i keni, gjersa unë kam ardhur më shumë për të dëgjuar që t’i kuptoj sa më shumë brengat e juaja, që t’i adresojmë në politik-bërjen për zhvillim të sektorit privat”, theksoi ministrja Hajdari gjatë takimit me biznese.

Ministrja Hajdari potencoi faktin se janë duke punuar për lehtësimin e barrierave tregtare që i kanë bizneset në eksportimin e produkteve, si dhe po punohet në hartimin e politikave, ligjeve të reja, me programe përkrahëse, për t’i bërë bizneset tona më konkurruese në rajon dhe më gjerë. Bizneset paraqiten brengat e tyre lidhur me mungesën e punëtorëve të specializuar, sipas profileve të sektorëve industrial aktiv në Kosovë.

 “Në këtë çështje jemi duke punuar afër me kolegët qeveritar, me udhëheqje nga Kryeministri Kurti,  që të ndërtojmë bashkëpunim trekëndësh-qeverisje, industri, arsim profesional. Nuk kemi ende një bashkëpunim te strukturuar, të ndërtuar si një model trekëndësh, që ta përshtatim arsimin dhe aftësimin profesional me nevojat e industrisë, për të siguruar gjenerata të ardhshme të kualifikuara në profile të ndryshme sipas nevojave të industrisë. Kurse në anën tjetër kemi 70 për qind të popullatës nën 35 vite dhe 30 për qind papunësia. Kjo do të thotë që nuk mund të themi s’kemi resurs njeri, por që duhet të punojmë në përgatitjen e kualifikimeve, sipas nevojave te industrisë dhe mos ta lejojmë resursin tonë njeri të ikë në Evropë. Tani, ka shumë biznese nga Evropa që kërkojnë tokë që t’i nisin vijat e prodhimit dhe përpunimit, ne po iu përgjigjemi shpejtë, për qellim të rritjes së punësimit dhe përmirësimit të bilancit tregtar me më shumë eksporte”, është shprehur ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari gjithashtu ka vizituar fabrikën për përpunimin e drurit “Koba” në Komunën e Gjakovës, e cila ka në fokus prodhimin e paneleve për ndarjen e dhomave, që kryesisht praktikohen nëpër salla të mëdha të hoteleve. Ndërsa në Pejë vizitoi prodhuesin vendor “Fresh”, që ka një gamë të gjerë të prodhimeve të detergjenteve.

Ministrja Hajdari ripohoi edhe njëherë se ministria që e drejton dhe me vullnetin e saj të madh do të jenë gjithherë në mbështetje të bizneseve dhe do t’iu qëndrojnë afër çdo herë kërkesave të bizneseve.