Lajme

Pijet alkoolike të pesë kompanive nga Kosova do të promovohen në Gjermani

Prishtinë, 12/05/2022

Prodhimet e pesë kompanive nga Kosova: Biopak, Kosova Wine, Stone Castle Vineyards&Winery, Bodrumi Familjar Sefa dhe Bodrumi i Vjeter do të promovohen në panairin “ProWein” që do të mbahet në Dyseldorf të Gjermanisë nga data 15 deri më 17 maj 2022.

Në shtandin e Kosovës, këto kompani do të promovojnë verëra dhe raki të llojeve të ndryshme.

Hapësira ekspozuese për promovim të kompanive nga Kosova në këtë panair është siguruar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Pjesëmarrja e kompanive vendëse në këtë panair mund të shfrytëzohet si rast ideal për rrjetëzimin e bizneseve dhe identifikimin e tregjeve të reja në sektorin përkatës.

Kompanitë nga Kosova, përveç tjerash do të kenë mundësi që të njihen për së afërmi me trendet me të reja të verarisë dhe pijeve alkoolike në Evropë dhe më gjerë.

Panairi “ProWein 2022” njihet si një ndër panairet që ofron gamën më të madhe në botë të verërave, pijeve alkoolike dhe pijeve artizanale.

Në këtë panair, Kosova ka siguruar shtandin me numër 11D02, i cili gjendet në hapësirën ekspozuese prej 33 m2 në Hall 11.

Gjermania është një ndër partnerët kryesor të Kosovës, si në fushën e IHD-ve, ashtu edhe në fushën e shkëmbimeve tregtare. Bazuar në të dhënat e Bankës Qëndrore të Kosovës, IHD-të nga Gjermania gjatë vitit 2021 ishin 123.8 milionë euro, ndërsa bazuar në të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave të Kosovës në Gjermani në muajin mars 2022 ka shënuar rritje prej rreth 46% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.