Lajme

Kompanitë nga Kosova promovojnë produktet në SHBA

Prishtinë, 14/06/2022

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar pjesëmarrjen e tri kompanive nga Kosova në Panairin “Summer Fancy Food Show 2022”, që po mbahet nga data 12 qershor në New York të SHBA-së.

Në këtë panair, kompanitë kosovare: FRUTEX, EGI GROUP dhe ERC TRADE janë duke i promovuar produktet e tyre, si: çokollata të llojeve të ndryshme,  prodhime konditorike, lloje të ndryshme të biskotave, shpageta, makarona, brumëra të ndryshëm, pije joalkoolike etj. Po ashtu, përfaqësuesit e kompanive kosovare po zhvillojnë kontakte me pjesëmarrës dhe blerës potencial me qëllim të krijimit të bashkëpunimit, rritjes së prodhimit dhe të eksportit.

Për kompanitë nga Kosova, MINT-KIESA ka siguruar hapësirën ekspozuese prej 27 m2.

Shtandi i Kosovës po frekuentohet nga vizitorë të shumtë të cilët po njoftohen për së afërmi me produktet e kompanive tona. Në shtandin e Kosovës ka qëndruar edhe Konsulli i Republikës së Kosovës në New York, Lulzim Krasniqi.

“Summer Fancy Food Show 2022”, njihet si ndër më të mëdhenjtë në SHBA i dedikuar ekskluzivisht për ushqimet dhe pijet e specializuara.

Panairi mbahet në: Location in Level 1 - 6636, 6638 and 6640 - International Pavilion in Javits Center, 655 West 34th Street, Manhattan, New York City 10014, USA, dhe është i hapur deri më 14 qershor 2022.

SHBA është një ndër partnerët kryesor të Kosovës, si në fushën e IHD-ve, ashtu edhe në fushën e shkëmbimeve tregtare. Bazuar në të dhënat e Bankës Qëndrore të Kosovës, IHD-të nga SHBA gjatë vitit 2021 ishin 63.4 milionë euro, ndërsa eksporti i mallrave të Kosovës në SHBA 122.6 milionë euro dhe importi 92.9 milionë euro.