Lajme

Produktet nga Kosova ekspozohen në SHBA

Prishtinë, 16/11/2022

Me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), katër kompani nga Kosova kanë marrë pjesë në panairin “PLMA’s 2022 Private Label Trade Show”, që u mbajt në Rosemont Convention Center në Chicago, Ilinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga data 13 deri 15 nëntor.

Në këtë panair, kompanitë vendëse: Egi Group, Hit Flores, Kosova Wine, Camel, kanë promovuar produktet e tyre nga sektori i ushqimit dhe pijeve: çokollata të ndryshme, prodhime konditorike, lloje të ndryshme të biskotave, shpageta, makarona dhe brumëra të ndryshëm, fruta mali të ngrira e të thata, bimë mjekuese aromatike, kërpudha, dredhëza, prodhime EKO dhe organike, pije alkoolike etj.

Të gjitha këto lloje të prodhimeve janë ekspozuar në hapësirën prej 36m2 në North Hall, të cilën e ka siguruar MINT/KIESA.