Turizmi i Kosovës prezantohet në Gjermani
Prishtinë,
07/03/2023
Potencialet turistike të Kosovës po prezantohen në mesin e mbi 180 vendeve pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin” që po mbahet nga data 07 mars 2023 në Berlin të Gjermanisë.
Në këtë panair shtatë operatorë turistikë dhe agjenci turistike nga vendi ynë: Kosovo Holiday, Balkan Natural Adventure, Euro Koha, Fibula Travel, Balkan Destination, Outdoor Kosovo dhe Fluturime, janë duke prezantuar ofertat e tyre turistike si dhe mundësitë që ofron Kosova në përgjithësi në fushën e turizmit.
Kosova në këtë panair ka një shtand me hapësirë prej 36m2, i cili gjendet në pavijonin 1.2, në stendën numër 211, që është siguruar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Shtandi i Kosovës po vizitohet nga pjesëmarrës të shumtë në këtë panair.
Të interesuarit po informohen nga përfaqësuesit e KIESA-s dhe nga operatorët turistik për mundësitë turistike të Kosovës.
Vizitorëve po u shpërndahen materiale të ndryshme promovuese me qëllim të informimit sa më të mirë me atë se çfarë ofron vendi ynë, si në kuadër të atraksioneve turistike ashtu edhe në aspektin kulturor e historik.
Panairi është i hapur nga data 07 – 09 mars 2023.






