Lajme

Gjashtë kompani nga Kosova po marrin pjesë në Panairin “Fruit Logistica 2024” në Gjermani

Prishtinë, 09/02/2024

Nga data 07 shkurt 2024, gjashtë kompani nga Kosova po marrin pjesë në Panairin ndërkombëtar të produkteve bujqësore, industrisë së pemëve dhe perimeve të freskëta, frutave të imta etj. “Fruit Logistica 2024” që po mbahet në Berlin të Gjermanisë.

Në këtë panair, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) për kompanitë nga vendi ynë ka siguruar një hapësirë ekspozuese prej 56m2.

 “Fruton”, “Agro-Florentina”, “Fungo”, “BoostBerries”, “Arra & Lajthi” dhe “HitFlores”, janë kompanitë vendëse që po i promovojnë produktet e tyre para blerësve dhe vizitorëve nga shtete të ndryshme pjesëmarrëse në këtë panair si dhe po zhvillojnë kontakte me qëllim të krijimit të bashkëpunimit në të ardhmën.

Në vazhdën e aktiviteteve që po zhvillon KIESA, me qëllim të mbështetjes së kompanive pjesëmarrëse nga Kosova, nëpër panaire ndërkombëtare U.d. Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, z. Zef Dedaj pas qëndrimit në panairin “Stockholm Furniture Fair” në Suedi,  ku po marrin pjesë 10 kompani, tash po qëndron edhe në panairin “Fruit Logistica 2024” ku po marrin pjesë gjashtë kompani.

z. Dedaj po zhvillon takime me përfaqësues nga shtete të ndryshme me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit mes kompanive vendëse dhe ndërkombëtare, tërheqjes së investimeve dhe rritjes së eksportit.

Shtandi ku janë të ekspozuara produktet e kompanive nga Kosova është vizituar edhe nga ambasadori i Kosovës në Gjermani z. Faruk Ajeti, me ç’rast ai u premtoj angazhim edhe më të madh të Ambasadës, me qëllim të përforcimit sa më të mirë të kompanive nga Kosova në panairet që organizohen në Gjermani.

Fruit Logistica është panairi me i madhi në Evropë që organizohet për sektorin e frutave dhe perimeve.

Produktet e kompanive tona gjendet në Hall 5.2 | D-70.

Panairi është i hapur deri me 09 shkurt 2024.