Lajme

Në Paris, u mbajt Konferenca e Nivelit të Lartë e OECD-së për Evropën Juglindore

Prishtinë, 01/07/2024

Në Paris, u mbajt Konferenca e Nivelit të Lartë e OECD-së për Evropën Juglindore: Nxitja e Konkurrencës, Arritja e Konvergjencës. Në këtë konferencë me pjesëmarrje të nivelit të lartë të OECD-së, të vendeve të Evropës Juglindore dhe vendeve anëtare të Bashkim Evropian, u lansua OECD Raporti i të gjeturave të matjes së konkurrueshmërisë për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: " Competitiveness Outlook 2024".

Në këtë konferencë, Republika e Kosovës u përfaqësua nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë znj. Rozeta Hajdari dhe U.d Drejtori i Përgjithshëm i agjencisë KIESA z. Zef Dedaj, të shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë z. Mehdi Halimi.

Për raportin "Competitiveness Outlook 2024",

KIESA si koordinator nacional për OECD, ka koordinuar mbledhjen e të dhënave kualitative dhe kuantitative për vlerësim të 15 dimensioneve të matjes së konkurrueshmërisë, në koordinim me nënkoordinatorët nga ministritë dhe institucionet publike përkatëse.

Raporti në fjalë, i paraqitur në këtë link:

https://westernbalkans-competitiveness.oecd.org,

pasqyron arritje rekorde të Republikës së Kosovës, në shumicën e dimensioneve, në krahasim me vitin 2021, në veçanti dimensionet më të rëndësishme me pikët më të larta, siç janë: Politika Tregtare, Politika e Investimeve dhe Promovimit, Politika Bujqësore, Politika Energjetike, Politika Tatimore, Politika e Turizmit, Politika e Arsimit, Ndërmarrjet Publike, Shoqëria Dixhitale, të cilat janë dimensione me rezultatet më të mira të renditura, në krahasim me progresin e vitit 2021.

Më tej, në këtë konferencë Ministrja Hajdari mori pjesë në panelin ministror me temën ‘Qëndrueshmëria si Shtytës i Rritjes Ekonomike’ ku prezantoi të arriturat kryesore të Qeverisë, në drejtim të politikbërjes, ligjeve dhe zbatimit të tyre, të cilat kanë rezultuar në përmirësimin e performancës në shumicën e dimensioneve të lartëpërmendura.

Gjithashtu, ajo theksoi masat në zbatim të Politikës Industriale 2030, e cila i dedikohet aktivizimit të potencialit të industrive për të avancuar qëllimin për të pasur një ekonomi më digjitale, qarkore, të gjelbër, konkurruese dhe të integruar globalisht, të përqendruar rreth inovacionit dhe dixhitalizimit, për transformim shoqëror, ekonomik dhe ambiental të Republikës së Kosovës.