Lajme

Republika e Kosovës ka përmbyllur sot me sukses kapitujt negociues për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Shtetet e EFTA-së: Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën

Prishtinë, 26/09/2024

Pas katër raundeve negociata, të filluara në vitin 2022 kjo është një arritje e jashtëzakonshme për vendin, duke hapur kështu rrugën për zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për ndërmarrjet, industritë dhe qytetarët nga të dyja palët.

Marrëveshja përfshin fushën e tregtisë së mallrave dhe atë të shërbimeve. Vlen të theksohet që Kosova është i vetmi shtet nga vendet e rajonit, që negocion tregtinë e shërbimeve me vendet e EFTA-së.

Kjo ka rëndësi jetike duke pasur parasysh potencialin që Republika e Kosovës ka në ofrimin e shërbimeve profesionale.

Marrëveshja e sotme shënon jo vetëm përfundimin e negociatave, por edhe fillimin e një partneriteti më të fortë mes vendeve tona.

Dhe siç dihet, vendet e EFTA-së kanë rëndësi strategjike për ekonominë e vendit.

Negociatat e EFTA-s u udhëhoqën nga z. Zef Dedaj, udhëheqës i delegacionit të Kosovës, ndërsa nga radhët e EFTA-s nga znj. Karin Buechel, udhëheqëse e delegacionit.