Lajme

Turizmi i Kosovës u prezantua suksesshëm në “ITB Berlin 2025”

Prishtinë, 06/03/2025

Kosova ka përmbyllur me sukses pjesëmarrjen në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin 2025”, i cili u mbajt nga data 4 deri më 6 mars në Berlin të Gjermanisë, e që shënon një prej ngjarjeve më të rëndësishme globale në fushën e turizmit.

Përgjatë tri ditëve, shtatë kompanitë nga sektori i turizmit në Kosovë: Superxplorers, Balkan Destination, Swiss Diamond Hotel, Butterfly Outdoor Adventure, OutdoorKosova, Balkan Natural Adventure dhe Kosovo Holidays – prezantuan ofertat e tyre turistike para një audience të gjerë nga shtete të ndryshme të botës.

Kompanitë pjesëmarrëse e vlerësuan këtë panair si një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, pasi realizuan një sërë takimesh me agjenci turistike dhe operatorë të industrisë, të cilat presin t’i finalizojnë me marrëveshje konkrete në të ardhmen.

Duke shfaqur potencialin e vendit si një destinacion unik turistik në rajon, shtandi i Kosovës tërhoqi interes të madh nga vizitorët e jashtëm.