Ministrja Hajdari mori pjesë në hapjen e ‘’Panairit Ndërkombëtar të Turizmit - Kosova 2025’’, në Prishtinë
Prishtinë,
14/04/2025
Me organizimin nga Unioni i Turizmit të Kosovës dhe mbështetjen nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes agjencisë KIESA dhe partnerë tjerë mbështetës të sektorit të turizmit, kjo ngjarje është një platformë që bashkon liderët e industrisë, ekspertët, bizneset dhe akterët nga vendet e ndryshme, me qëllim fuqizimin e sektorit të turizmit.
Ministrja Hajdari bashkë me Ministrin e Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi, Fatmir Gjeka, Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, Kryetarin e Unioni të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, Kryetarin e Unionit të Turizmit nga Shqipëria, Rrahman Rasa, përfaqësuesin diplomatik nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, Nedjeljko Špilek dhe shumë akterë të turizmit, vizituan gjithsejtë 340 biznese pjesëmarrëse, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bullgaria, Austria, Greqia dhe Turqia, si dhe takuan ekspertë të turizmit nga Zvicra, Suedia, Kanada dhe më gjerë.
Gjatë këtij mandati qeverisës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, arriti miratimin e strategjisë së parë, ligjit dhe akteve nënligjore, si dhe programeve për zhvillimin e turizmit, me synim që deri në vitin 2030, Kosova do të shndërrohet në një destinacion të qëndrueshëm turistik dhe konkurrent në Ballkanin Perëndimor."
Ministrja njoftoi të pranishmit për disa nga reformat dhe masat e Strategjisë së Turizmit të Kosovës 2030, që së fundmi janë përfshirë edhe në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të BE-së, përveç në Planin e Përbashkët të Veprimit të Tregut Rajonal (CRM2) dhe në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
Ajo theksoi përfitimet nga masat mbështetëse për turizëm cilësor, që do të ndihmojnë në lehtësimin e zhvillimit të ekosistemi turistik të Ballkanit Perëndimor, duke integruar akterët rajonalë të turizmit në të gjithë mekanizmat e BE-së.
Planin i Rritjes për Ballkanin Perëndimor të BE-së ka për qëllim të mbështesë tranzicionin drejt një industrie turistike më të gjelbër, më dixhitale dhe elastike dhe të rrisë aftësitë - përfshirë ato të grupeve me vështirësi për t'u punësuar - në përputhje me Rrugën e Tranzicionit për Turizmin, i zhvilluar nga Komisioni Evropian në bashkëpunim të ngushtë me një grup të gjerë akterësh në ekosistemin e turizmit, si dhe Agjendën Evropiane për Turizmin 2030, të zhvilluar nga Shtetet Anëtare në bashkëpunimi me Komisionin Evropian.
Kosova me shumë potencial të turizmit natyror dhe kulturor ka arritur një trend prej 50% rritje të numrit të turistëve gjatë viteve 2021-2024, në krahasim me vitet 2017-2020.
Në fund, Ministrja Hajdari shprehi zotimin nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që do të vazhdoj me mbështetjen financiare në zbatimin e Strategjisë për Turizmin e Kosovës 2030, përmes zbatimit të programeve mbështetëse për zhvillimin e turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm, si dhe përmes Fondit për Inovacion në kuadër të Agjencisë së re për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve.













