Lajme

KIESA organizoi sesion informues me bizneset lidhur me Skemën e Granteve për NMVM-të prej 5 milionë euro

Prishtinë, 06/05/2025

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka mbajtur sot sesion informues me përfaqësues të bizneseve nga sektori prodhues dhe përpunues, me rastin e lansimit të Skemës së Granteve për subvencionim të NMVM-ve për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, me një buxhet prej 5 milionë euro.

Gjatë këtij takimi, U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm i KIESA-s, z. Zef Dedaj, theksoi rëndësinë e kësaj skeme për zhvillimin industrial të vendit dhe inkurajoi bizneset vendore që të shfrytëzojnë këtë mundësi mbështetëse.

Pjesëmarrësit u informuan në mënyrë të detajuar mbi procedurat e aplikimit, përmes prezantimit të udhëzuesit për aplikim, i cili përmban të gjitha informacionet e nevojshme lidhur me kriteret e pranueshmërisë, dokumentacionin e kërkuar dhe hapat që duhet ndjekur në platformën e-Kosova për një aplikim të suksesshëm.

Qëllimi i kësaj skeme është të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese, zgjerimin e pranisë së produkteve kosovare në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e bilancit tregtar të vendit. Për më tepër, skema synon të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës dhe të promovojë përfshirjen aktive të bizneseve në ekonomi qarkore.

Thirrja për aplikim është e hapur deri më 26 maj 2025 dhe realizohet përmes platformës elektronike e-Kosova. https://ekosova.rks-gov.net/502