Ministrja Kusari-Lila diskutoi me përfaqësuesit e Zyrës së BE-së për zhvillimin e eko-parqeve industriale në Kosovë
Prishtinë,
28/07/2026
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim Shefin e Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, së bashku me përfaqësues të tjerë të Zyrës së BE-së, me të cilët diskutoi për zhvillimin e infrastrukturës industriale në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutua avancimi i parqeve industriale përmes konceptit të Eco Industrial Parks, në përputhje me standardet më të larta dhe nevojat bashkëkohore për infrastrukturën fizike të zonave industriale.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se synimi i MINTI-t është që këto parqe të pajisen me infrastrukturë të avancuar, duke përfshirë zgjidhje për ekonominë qarkore, trajtimin e ujërave të zeza, shfrytëzimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, si dhe masa për rritjen e efiçiencës së energjisë.
Në takim u diskutua gjithashtu për transferimin e njohurive (know-how) dhe zhvillimin e arsimit dual brenda këtyre zonave industriale, me qëllim krijimin e një ekosistemi industrial që përmbush standardet e qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe mjedisore.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se investimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes MINTI-t dhe në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, do t’u mundësojnë prodhuesve dhe eksportuesve kosovarë të përmbushin kërkesat e reja që burojnë nga Marrëveshja e Gjelbër Evropiane (EU Green Deal), standardet e kujdesit të duhur (due diligence) dhe Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufi (CBAM), i cili tashmë ka hyrë në fuqi.
Ajo shtoi se kjo nismë me rëndësi strategjike do të rrisë konkurrueshmërinë e prodhuesve në Kosovë, do të krijojë kushte më të favorshme për investime dhe do ta forcojë pozitën e Kosovës si një destinacion tërheqës për nearshoring, duke afruar edhe më tej zinxhirët e furnizimit me tregun evropian.





