Hotelet
Kosova ka shumë hotele të shpërndara nëpër tërë territorin e saj. Hotelet zakonisht vlerësohen me dy deri në katër yje dhe çmimet e tyre sillen mes 30 dhe 150 euro për natë. Hotelet më të njohura në kryeqytetin e Prishtinës janë: Swiss Diamond Hotel, Hotel Prishtina, Hotel Baci, Hotel Pejton, Emerald Hotel, Hotel Afa, Hotel Royal, Hotel Gorenje dhe Hotel Sirius. Hotelet më moderne zakonisht veprojnë me kapacitet të plotë. Këshillohet që rezervimet të bëhen para udhëtimit.
Valuta
Euro është valuta zyrtare e Kosovës dhe shumica e pagesave kryhen me para në dorë. Sidoqoftë, të gjitha shitoret e mëdha, restorantet dhe hotelet janë të pajisura me mjete elektronike të pagesës që mundësojnë kryerjen e pagesave përmes kredit kartelave dhe me mjete tjera të pagesave elektronike.
Shumat më të mëdha se 10.000 euro patjetër duhet të deklarohen në kufi.
Komunikimi
Kosova ka një sistem telekomunikimi të zhvilluar mirë. Ka më se 328 telefona me pagesë të cilët janë të vendosur në vendet publike si dhe brenda zyrave postare. Vala, IPKO, D3 dhe Z-Mobile janë shërbimet që ofrojnë GSM në Kosovë dhe roamingu sigurohet nga shumica e shërbimeve telefonike ndërkombëtare. Nëse qëndroni më gjatë në Kosovë ju rekomandohet të blini një numër lokal me parapagesë. Po ashtu Prishtina dhe qytetet tjera mbulohen nga rrjeti WLAN. Kosova ka mbi 54 provider të internetit të autorizuar (ISP) nga të cilët katër prej tyre kanë lidhje direkte në portën (rrjetin) ndërkombëtar.
Komunikacioni
Në Kosovë automjetet voziten në anën e djathtë dhe një patentë shofer i BE-së është i mjaftueshëm për ngasjen e automjetit. Si rrugët kryesore ashtu edhe ato dytësore janë rehabilituar në masë të madhe dhe ofrojnë lidhje të mirë me shtetet fqinje. Ne Kosovë ka shumë kompani për “huazim të automjeteve” dhe tarifa ditore sillet mes 20 dhe 75 Eurosh, varësisht nga lloji i automjetit të huazuar. Nëse doni të udhëtoni për në qytet ju rekomandohet të merrni një taksi (1.5 EUR - për 1km udhëtim). Karta e gjelbër ndërkombëtare e sigurimit ende nuk është pranuar në Kosovë. Të huajt që udhëtojnë me automjet patjetër duhet të pajisen me sigurim shtesë në vendkalimet kufitare të Kosovës. Në Kosovë nuk aplikohet asnjë taksë rrugore për përdorim të rrjetit rrugor.
Arsimimi
Në Kosovë veprojnë tetë Institucione Publike të Arsimit të Lartë me lokacion në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë.
Ndërsa janë po ashtu afër 30 Institucione Private të Arsimimit të Lart. Shumë nga këto institucione bashkëpunojnë me universitete tjera në botë si me: The Rochester Institute of Technology, University of Sheffield, dhe Staffordshire University, etj.
Kujdesi shëndetësor
Ekzistojnë shtatë spitale rajonale të vendosura në qytetet më të mëdha të Kosovës. Për më tepër, këto janë të mbështetura nga qendrat shëndetësore në secilën prej 38 komunave të vendit. Përveç Sistemit Publik Shëndetësor, veprojnë edhe spitale të shumta private. Barnatoret e furnizuara mirë mund të gjenden në çdo qytet në tërë Kosovën, disa prej tyre janë të hapura 24 orë.
Klima - në pjesën më të madhe është kontinentale, duke rezultuar me verë të ngrohtë dhe dimra të ftohtë, me ndikime mesdhetare dhe kontinentale (temperatura mesatare brenda vendit luhatet nga + 30 °C në verë, në – 10 °C në dimër). Megjithatë, për shkak të ngritjeve të pabarabarta në disa pjesë të vendit, ka ndryshime në temperaturë dhe shpërndarjen e reshjeve.
Kuzhina
Në restorante, bistro, kafene dhe hotele shërbehet ushqim dhe pije të llojllojshme (kuzhina tradicionale ballkanase, kuzhina italiane, etj.).Për më tepër, ka shumë restorante në Prishtinë dhe në qytetet tjera që ofrojnë specialitete ndërkombëtare (tajlandeze, indiane, kineze, meksikane, etj.) Restorantet në Vërmicë dhe në Istog po ashtu janë një atraksion i rëndësishëm për specialitetin e tyre unik të troftës.
Atraksionet kulturore
Kosova ka një trashëgimi shumë të pasur kulturore. Vende të panumërta që pasqyrojnë ndikimin e historisë dhe trashëgiminë kulturore mund t’i gjesh posaçërisht në pjesët jugore dhe perëndimore të Kosovës sikurse është Rajoni i Dukagjinit, qyteti i Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit. Fortesa të vogla, sikurse "kullat" shqiptare, mullinjtë dhe urat, xhamitë, kishat katolike dhe ortodokse, hamamet turke, kështjellat dhe vendbanimet arkeologjike paraqesin të gjitha aspektet e historisë së pasur të rajonit. Vendi gjithashtu përmban një trashëgimi të pasur etno-kulturore, materiale dhe shpirtërore me një shumëllojshmëri të periudhave historike duke u shquar për peizazhin e saj kulturor, arkitektonik, dhe gjeografik.
Karakteristikat unike të Kosovës, tiparet dhe kualitetet pasqyrojnë arritjet e banorëve të saj në të kaluarën sikurse të Ilirëve, Bizantinëve, Helenëve, Romakëve, të Perëndimit, të Lindjes, dhe të Otomanëve.