Lajme

Ministrja Bajrami mori pjesë në fillimin zyrtar të fushatës për promovimin e prodhimeve vendore “Made in Kosova”

Prishtinë, 16/02/2016

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, mori pjesë në hapjen zyrtare të fushatës “Made in Kosova” organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe në mbështetje të Qeverisë së Kosovës. Fushata ka për qëllim promovimin e prodhimeve vendore para konsumatorëve kosovarë.

Në fjalën e saj, ministrja Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës po punon në mbështetjen e prodhuesve vendorë përmes nxjerrjes së politikave nxitëse dhe duke ofruar lehtësime të ndryshme të cilat do ta bëjnë më të lehtë procesin e prodhimit në vendin tonë. Ajo shtoi se përveç aspektit të prodhimit duhet punuar edhe në promovimin e prodhimeve vendore sepse ato janë cilësore por duhet bërë më shumë që shërbimet dhe prodhimet nga Kosova t’i konsumojmë më shumë, sepse pa prodhime nga vendi nuk do të mund të kemi prosperitet dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Ministrja Bajrami u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë shumë bashkëpunuese dhe e hapur për të thelluar më tej dialogun dhe bashkëpunimin me prodhuesit vendorë në funksion të fuqizimit të prodhimit, sepse kjo është rruga më e mirë për zbutjen e disbalancit tregtar të Kosovës i cili dominohet nga importet e larta dhe shkalla e ulët e eksporteve, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit.